Lajme Shqip Saturday, 10 September 2011 16:01

Tetovë – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur sot në një takim miqësor në selinë e BDI-së në Tetovë, Dr. Michael Haltzel, ish-këshilltar i zv/Presidentit të SHBA-ve Joe Biden për 11 vite rresht, gjatë periudhës kur Biden ishte Senator. Aktualisht, Dr. Haltzel është bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Amerikane për Marrëdhënie Transatlantike dhe njohës i shkëlqyer i rrethanave politike në rajon.

Bashkëbiseduesit kanë shtjelluar tema të interesit të përbashkët, përfshirë nevojën imediate për integrim të Maqedonisë në aleancën veriatlantike, të arriturat në 10-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, situatën politike në vend dhe rajon si dhe çështje të tjera.

Sa i takon situatës në rajon, Ahmeti ripërsëriti qëndrimin e tij se ndarja e Kosovës është e papranueshme dhe që çdo përpjekje për ndryshim të kufijve mund të ketë pasoja mbi të gjithë rajonin.

“Kryetari Ahmeti falënderoi Dr. Haltzelin për kujdesin e dëshmuar ndaj Maqedonisë dhe rajonit dhe njëkohësisht e njoftoi mysafirin për zhvillimet politike në 10-vjeçarin e fundit dhe për vizionin e BDI për të ardhmen e Maqedonisë, si pjesëtare e barabartë e aleancave të demokracive perëndimore, NATO dhe Bashkimi Evropian.

Dr. Haltzel njoftoi Ahmetin për takimet e tij me krerët e shtetit dhe shprehu mirënjohje ndaj Ahmetit për të arriturat e Maqedonisë pas vitit 2001, duke theksuar bindjen e tij që institucionet e vendit duhet të bëjnë më tepër për arritjen e barabartësisë midis të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Ahmetit.

Dr. Haltzel dhe Ahmeti janë dakorduar që lojaliteti dhe pjesëmarrja në rritje e shqiptarëve në institucionet e vendit duhet të shërbejnë si nxitje për institucionet që të demonstrojnë përpikëri më të madhe ndaj Marrëveshjes së Ohrit, duke u përkujdesur për zbatimin e saj të përpiktë.

“Duke vlerësuar lartë rolin e SHBA-ve si dhe të Bashkimit Evropian në Maqedoni, lideri Ahmeti ritheksoi përcaktimin strategjik të BDI-së dhe të të gjithë shqiptarëve për anëtarësim të vendit në NATO, si rruga e vetme për të ardhmen e vendit. Anëtarësimi ne NATO sjell siguri për vendin dhe rajonin dhe mundëson perspektivë të begatë ekonomike për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në komunikatë. (LajmeShqip.com)