Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 20:43

Tetovë – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pritur sot në takim lamtumirës në selinë e partisë në Tetovë, ambasadorin e SHBA-se në Shkup Filip Riker.

Në fokus të takimit, siç kumton kabineti i kryetarit të BDI-së, ishte nevoja e zgjidhjes së kontesteve, promovimi i vlerave evropiane, vazhdimësi të reformave, bashkëpunimi rajonal, si dhe çështje tjera të natyrës ekonomike, sociale, kulturore.

Ahmeti falënderoi mikun e Maqedonisë, për kontributin, ndihmën dhe inkurajimin e dhënë për vendin  dhe njëkohësisht njoftoi ambasadorin Riker për prioritetet dhe sfidat e qeverisë së re, me përmbajtjen e marrëveshjes politike për koalicionin e përbashkët, në theks të vëçantë arritjen e një koncepti të përbashkët për qeverisje të bazuar dhe ndërtuar nga programet e dy partive politike.

Bashkëbiseduesit fokusuan performancën e proceseve drejt integrimeve euro-atlantike,  për nevojën e arritjes sa më te shpejtë të një kompromisi të pranueshëm mes Maqedonisë dhe Greqisë, duke nënvizuar se  Republika e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos integrimit në familjen e madhe evropiane.

Më tej lideri i BDI-së siguroi ambasadorin Riker se prioritet për Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë edhe më tej mbetet anëtarësimi në NATO dhe BE dhe se angazhimet në këtë drejtim janë të pakontestueshme. Anëtarësimi në NATO paraqet sigurinë për vendin, qytetarët e saj dhe rajonin, sepse interesat kombëtare dhe shtetërore ruhen më mirë duke qenë pjesë e NATO-s.

Respektimi i dallimeve, bashkëpunimi dhe ngritja e vlerave të përbashkëta si komunitete të ndryshme, por me tendence të respektimit të diversiteteve kombëtare e kulturore, janë themelore për të ardhmen e Maqedonisë, vlerësuan bashkëbiseduesit.