Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 16:07

Tetovë – Negociatat për formimin e Qeverisë së re po zhvillohen me dinamikë të zakontë. Është bërë ndarja e vendeve dhe dihet se cilat vende të ministrave, zëvendësministrave, si dhe sekretarëve shtetërorë i marrin partitë në koalicionin qeveritar. Këtë e ka bërë të ditur të shtunën sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, pas vendosjes të gurëthemelit të shkollës fillore me efikasitet energjetik, në fshatin e Çellopek të Tetovës.

“Sipas marrëveshjes së arritur, BDI do të marrë dy vende zëvendësministrash, atë për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe atë për Eurointegrime, ndërsa me poste ministrash do t’i drejtojë Mbrojtjen, Drejtësinë, Ekonominë, Mjedisin Jetësor, Planifikimin Hapësinor dhe Vetëqeverisjen Lokale”, ka thënë Ademi.

Ai ka potencuar se negociatat vazhdojnë për harmonizimin e programeve të partive fituese në zgjedhje, për një program të përbashkët qeverisës dhe për ndarjen e vendeve të tjera në administratën shtetërore, gjegjësisht drejtorët e fondeve, agjencive dhe të ngjashme.

Sipas tij, ende nuk dihen bartësit e funksioneve të cilat me siguri se do të përcaktohen në mbledhjen e kryesisë qendrore të BDI-së gjatë javës së ardhshme.

“Negociatat zhvillohen që koalicioni të jetë në bazë partneriteti me program të përbashkët dhe qëllime të përbashkëta për integrim sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO dhe BE, përmirësimin e jetës dhe standardit të qytetarëve në shëndetësi, ekologji e arsim”, ka thënë Abdilaqim Ademi. (LajmeShqip.com)