Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 14:15

Manastir – Shqiptarët në Manastir kanë shprehur shqetësime lidhur me situatën e krijuar dhe dhunën e fundit nga protestuesit maqedonas, pas vrasjes së pesëfishtë në periferi të Shkupit. Shqetësimi i tyre vjen sidomos pas tensionimit të situatës dhe protestave të dhunshme nëpër rrugët e Shkupit si dhe për klimën e krijuar të pasigurisë. 

Vefki Bajrami, sekretari i Shoqatës “Kongresi i Bashkimit” në Manastir theksoi se në mesin e manastirasve po mbretëron shqetësimi dhe pasiguria, për shkak të tensioneve të fundit ndëretnike dhe vandalizmit dhe frymës raciste dhe antishqiptare, të krijuar pas vrasjes në Smilkovc të Shkupit. 

Shoqata “Kongresi i Bashkimit” apelon për kujdes dhe përgjegjësi nga individë dhe organizata që thirren në armata apo ushtri çlirimtare dhe që 
mund të dëmtojnë sidomos shqiptarët në trevat ku janë pakicë dhe janë pre e rreziqeve apo sulmeve për tu dëbuar nga shtëpitë e tyre. “Është lehtë që armata të tilla interneti të dalin dhe të kërcënojnë me komoditet, por realiteti është ndryshe, sepse ndryshe është të jesh shqiptar në Zvicër, Gjermani, Belgjikë apo Tiranë e Prishtinë dhe ndryshe në Manastir. Andaj apelojmë për kujdes dhe syçeltësi dhe të mos krijohet një farsë e rrejshme romantike që mund të ketë pasoja”, thekson kjo shoqatë. 

Banorët shqiptarë gjithashtu shprehin shqetësimin e tyre duke bërë thirrje që faktori politik shqiptar ti drejtojë sytë dhe të shtojë përkujdesjen për shqiptarët në Manastir. “Apelojmë që faktori politik shqiptar në qeveri, por edhe klasa politike të shtojë vëmendjen tek ne dhe të dërgojë mesazhe dhe praninë e tyre në vendin tonë, me qëllim që të krijohet një siguri dhe një solidaritet”, thekson Ramiz Asllani, mësues nga Manastiri. Shqiptarët në këtë qytet theksojnë se nuk ka acarim të klimës ndëretnike, por ekziston një heshtje e shoqëruar me tensione që po reflektohet nga situata e fundit në Shkup nga vrasja e pesëfishtë.  (LajmeShqip.com)