Lajme Shqip Thursday, 03 January 2013 19:05

PRESHEVË – Heqja e Flamurit Kombëtar nga varrezat e Dëshmorëve në Dobrosin ka tensionuar gjendjen në Bujanoc, ndërkohë në Luginën e Preshevës po mbretëron situatë e brishtë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të kryeministrit serb Ivica Daçiç për heqjen e Përmendores së Dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.

Mediat vendase raportojnë se heqja e Flamurit Kombëtar nga varrezat e Dëshmorëve të UÇPMB-së në fshatin Dobrosin, 18 km në perëndim të Bujanocit erdhi pas vizitës së djeshme të kryeparlamentarit dhe kryexhandarit serb Nebojsha Stefanovic në të ashtuquajturat Baza të Xhandarmërisë serbe gjatë kufirit që ndanë Serbinë dhe Kosovën në pjesën e Komunës së Bujanocit.

Gjatë qëndrimit të djeshëm në Dobrosin, kryeparlamentari serb, Nebojsha Stefanovic, ka deklaruar se “postblloku policor në Dobrosin ka qenë vazhdimisht në shënjestër nga terroristët shqiptarë, por forcat tona profesionale dhe të përgjegjshme ia kanë arritur me sukses t’i rezistojnë të gjitha përpjekjeve për të destabilizuar rajonin. Me të gjitha mjetet diplomatike në dispozicionin tonë, ne do ta mbrojmë integritetin tonë territorial përmes dialogut, do të luftojmë për kushte më të mira të jetës së qytetarëve tanë në Kosovë”.

Ish kryetari i KP të UÇPMB-së, Jonuz Musliu, është shprehur i shqetësuar me këtë rast, ai ka deklaruar se nuk do të lejojnë nëpërkëmbjen e gjakut të dëshmorëve.(P.O/B.W/LajmeShqip.com)