Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 14:21

Shkup – Ish-eurodeputeti Zoran Taler ka shprehur dyshime të hapura se qeveria e Maqedonisë mund të jetë e involvuar në inskenimin e aferës, për shkak të së cilës ai u tërhoq nga Parlamenti Evropian.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që sulmet që bëhen ndaj meje të jenë me porosi të pushtetit maqedonas”, deklaroi politikani slloven dhe ish-deputet në Parlamentin Evropian, Zoran Taler në intervistën për “Sllovenske novine”, duke folur lidhur me aferën për shkak të së cilës dha dorëheqje nga Parlamenti Evropian.

Ai ka thënë se i tërë rasti ka qenë për t’i bërë dëm individual nga gazeta Sunday Times, e manjatit mediatik Rupert Murdok, por për të simptomatike është që e tërë kjo ndodhi në vjeshtë, menjëherë pas raportit të tij për Maqedoninë.

“Nuk është kurrfarë fshehtësie se si raportues i Parlamentit Evropian kam qenë “therrë në sy” për pushtetin djathtist maqedonas, sepse nuk raportova shumë mirë për arritjet e tij. Në raportin, i cili më pas u votua me shumicë të madhe në mungesë timen dhe u bë dokument zyrtar i Parlamentit Evropian, deshën të shkruaj më mirë për gjendjen në Maqedoni sa i përket jolirisë politike-mediatike, gjendjen e të drejtave të njeriut dhe kështu me radhë. Ky ishte interesi i madh i Qeverisë’, ka thënë Taler për gazetën sllovene.

Taler i mbështetë dyshimet edhe me identitetin e gazetarëve që kanë shkruar tekstin në Sunday Times, për çka dhe është interesuar që të marrë vesh se kush i ka dërguar që të shkojnë tek ai si lobistë.

“Interesant është fakti se në tekstin e dytë në Sunday Times, i cili doli shtatë ditë pas tekstit të pare, ishte nënshkruar edhe një gazetar maqedonas. Mendoj se ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, si për shembull pse isha zgjedhur unë për t’u targetuar, kush ka bashkëpunuar, kur kanë nisur të ma përgjojnë telefonin”, ka thënë Taler.

Përveç Talerit ishin përgjuar edhe dy eurodeputetë, por ata nuk dhanë dorëheqje nga parlamenti, mbetën pranë organeve që hetonin çështjen, ndaj, sipas tij, hetimi i tyre përfundoi më shpejt dhe doli se ata nuk ishin fajtorë.

Taler planifikon që në fillim të vjeshtës të shkojë në Bruksel për të biseduar për hetimin e rastit. (LajmeShqip.com)