Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 10:15

Rabat Liga Arabe sot në Marok organizon takim të ri kushtuar dhunës tetëmujore në Siri.

Agjencia e lajmeve siriane shtetërore SANA njoftoi se një përfaqësues sirian nuk do të marrë pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të vendeve-anëtare të Ligës Arabe në Rabat.

SANA nuk i theksoi arsyet për mungesën e përfaqësuesit sirian në Marok.

Ministri maroken i Punëve të Jashtme, Tajeb Fasi Fihri dje theksoi se “kolegët sirianë” janë të mirëseardhur në takimin e jashtëzakonshëm të Ligës Arabe kushtuar dhunës në Siri, por nuk saktësoi nëse kjo do të thotë se shefi i diplomacisë siriane mund të marrë pjesë.

Më 12 nëntor ministrat e punëve të jashtme nga Liga Arabe votuan për ngrirje të anëtarësimit të Sirisë në Organizatë nga 16 nëntori nëse Damasku nuk i ndërpret represionet tetëmujore ndaj opozitës.

Shefi i diplomacisë turke Ahmet Davutogllu në forumin e djeshëm për bashkëpunimin arabo-turk me kolegët e Ligës Arabe theksoi se autoritetet në Siri nuk e skfrytëzuan mundësinë e fundit që t’i ndërpresin represionet kundër demonstruesve antiqeveritarë.

Ai përsëriti se Turqia dëshiron vendosje të sanksioneve për Sirinë, prej të cilave nuk do të vuajë populli sirian.