Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 08:35

Bangkok – Njëmbëdhjetë persona humbën jetën në përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në pjesën jugore të Tajlandës.

Autoritetet morën masa të jashtëzakonshme për evakuimin e një mijë turistëve, të bllokuar nga shirat dhe era e fuqishme, si dhe nga valët në komplekset e porteve të vendit. Në shumë vende është e shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut.

Nga shirat të cilat zgjasin më shumë se një javë janë të prekur më shumë se një milion njerëz. Dhjetëra mijë familje nuk kanë qasje në trafikun tokësor dhe atë ajror. Linjat hekurudhore në rajonet e përmbytura janë në ndërprerje. Të mbyllura janë dhe tre aeroportet, mes të cilave edhe ai i ishullit Koh Samui, i cili është destinacion shum i njohur turistik.

Marina luftarake e Tajlandës dërgoi katër anije të cilat tentojnë të ofrojnë produkte të nevojshme në rajonet e prekura dhe t’i evakuojnë banorët lokalë dhe turistët.

Gjatë ditëve të fundit pritet përkeqësim i gjendjes për shkak të parashikimeve se shirat do të vazhdojnë.