Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 10:30

Bagdad- Presidenti i Serbisë Boris Tadiç kumtoi se jep dorëheqje të funksionit, me çka hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale më 6 maj, për kur tanimë janë caktuar zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale në Serbi.

Në konferencë në Beograd Tadiç tha se ka vendosur “që ta shkurtojë mandatin e tij” dhe të mundësojë që më 6 maj të mbahen zgjedhjet në të gjitha nivelet e pushtetit.

“Do të kandidohem në këto zgjedhje me shumë optimizëm për shkak të trendeve pozitive në vendin tonë”, theksoi Tadiç. Ai theksoi se konsideron se zgjedhjet do të jenë të vështira, por edhe se do të paraqesin mundësi që qytetarët të përcaktohen nëpër cilën rrugë do të dëshirojnë të shkojnë.

“Unë e propozoj rrugën e integrimeve evropiane dhe ruajtjen e integritetit të vendit”, potencon Tadiç, duke shtuar se nuk do ta njeh Kosovën. Televizioni i Beogradit B92 që mbrëmë bëri të ditur se Tadiç vendimin e vet që të japë dorëheqje e ka kumtuar në seancën e djeshme të udhëheqësisë së Partisë së tij demokratike (PD), me shpjegim se shteti do të kursente mjete me mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e pushtetit në një ditë.

Analistët vlerësojnë se me përfshirjen në fushatë për zgjedhje eventuale presidenciale të jashtëzakonshme, Tadiç dëshiron të kontribuojë për rritjen e rejtingut të PD-së në zgjedhjet parlamentare, e cila tani mbetet pas Partisë përparimtare opozitare serbe (SNS).

Pritet që kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiç-Dejanoviç gjatë ditës të shpallë zgjedhje presidenciale të jashtëzakonshme për më 6 maj. Mandati aktual i dytë i Tadiçit skadon në muajin shkurt të vitit 2013 dhe termini i rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale është fundi i këtij viti ose më së voni muaji janar i vitit të ardhshëm. (LajmeShqip.com)