Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 12:32

Shkup – Suzana Saliu do të jetë njëra nga nënkryetarët e Parlamentit të Maqedonisë. Saliu ka qenë e dyta në listën e deputetëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Njësinë e parë zgjedhore.

Krahas Saliut, për nënkryetar janë propozuar edhe Svetllana Jakimovska nga VMRO-DPMNE dhe Jani Makraduli nga LSDM. Kryetari i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, Ilija Dimovski, këtë pikë e propozoi si të parën në mbledhjen e sotme të komisionit.

Në rend dite është edhe përcaktimi i Propozim-vendimit për zgjedhje të kryetarëve, zëvendës/kryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në komisione të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë.

Krahas kësaj, duhet të përcaktohet edhe Propozim-vendimi për zgjedhje të kryetarit, anëtarëve dhe zëvendës të anëtarëve të delegacioneve të Parlamentit të Maqedonisë në Asamblenë parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Dimensionin parlamentar të Iniciativës qendrore – evropiane (AP  IQE) dhe në Asamblenë parlamentare të Mesdheut.

Meqenëse afati për parashtrim të kërkesave për apanazhë përfundon më datën 25 të këtij muaji, është propozuar që kjo pikë të mos shqyrtohet në mbledhjen e sotme. (LajmeShqip.com)