Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 15:24

Uashington – Gazeta britanike “Indipendent” publikoi pohime dramatike lidhur me sulmin mbi konsullatën amerikane në qytetin libian Bengazi, duke thënë se SHBA-ja 48 orë paraprakisht ka pasur informacione se po përgatiten sulme mbi përfaqësitë diplomatike amerikane, por megjithatë nuk kanë reaguar.

Gazeta u referohet burimeve të larta diplomatike amerikane, të cilët thonë se sulmi i konsullatës, në të cilin janë vrarë ambasadori Kristofer Stivens si dhe tre amerikanë, është organizuar brenda dhe më pas është marrë një sasi e madhe e dokumenteve të besueshme, duke i përfshirë edhe emrat e bashkëpunëtorëve amerikanë në Libi.

“Sipas burimeve të larta diplomatike, Departamenti shtetëror ka pasur informacione të besueshme 48 orë para se njerëzit ta sulmojnë konsullatën në Bengazi dhe ambasadën në Kajro, se misionet amerikane mund të jenë cak i sulmeve, por nuk i ka paralajmëruar diplomatët të jenë në nivel të lartë të gatishmërisë ose ta kufizojnë lëvizjen në ambasadat”, shkruan Kim Sengupta, gazetar i “Independent”.

Sipas “Indipendent”, në konsullatën në Bengazi ka pasur shkelje afatgjate dhe serioze të sigurisë brenda. Tridhjetë roja në konsullatë, qytetarë libianë, kanë dhënë rezistencë të dobët gjatë sulmit dhe i kanë braktisur pozicionet e tyre duke i lënë sulmuesit të mbizotërojnë në konsullatë. Sulmuesit e kanë ditur madje edhe lokacionin në objektin e fshehtë në Bengazi ku diplomatët amerikanë janë strehuar pas sulmit në objekt. Edhe kjo shtëpi sekrete u është ekspozuar sulmeve me mina, për të cilën gjë asnjë strehimore amerikane në Libi tani më nuk konsiderohet si e sigurt.

Gazeta shkruan se shkaku kryesor për sulmin mbi konsullatë nuk është publikimi i filmit në internet në të cilin ofendohet profeti mysliman Muhamedi, por vrasja e Muhamed Hasan Kaedit, komandant i rrjetit terrorist të Al Kaedës, me origjinë nga Libia. Kaed është vrarë në një sulm me aeroplan pa pilot në Pakistan.

“Këto pohime absolutisht janë të pasakta. Nuk dimë për asnjë informacion të besueshëm i cili tregon se po përgatitet ndonjë sulm mbi misionin në Bengazi”, deklaroi Shon Turner, zëdhënës i Xhejms Klaper, drejtor i përgjithshëm për zbulim në administratën e presidentit Barak Obama, në lidhje me pohimet e gazetës.

Në ndërkohë, agjencia e lajmeve Asoshiejted pres publikoi se Nakulla Basli Nakulla (55), biznesmen i cili me origjinë është kopt egjiptian, është autori i vërtetë dhe producent i filmit “Pafajësia e myslimanëve” i cili u shfrytëzua si rast për sulmet mbi përfaqësitë diplomatike amerikane. Nakulla jeton në Kaliforni, ku gazetarët e Asoshiejted pres e kanë locuar pasi e kanë ndjekur lokacionin e telefonit celular të një njeriu i cili ka kontaktuar me ta me emër të rremë dhe është prezantuar si autor i filmit.

Agjencia e lajmeve e ka hetuar të kaluarën e Nakullas, i cili është dënuar me burg për shkak të mashtrimit dhe vjedhjen e identitetit. Sekuencat e filmit të cilat janë publikuar në internet faqen Jutjub, nuk kanë pasur qasje për shfrytëzuesit nga Egjipti, por xhirimi akoma ka qasje për shfrytëzuesit e vendeve të tjera dhe është shikuar disa milionë herë. Aktorët në film akuzuan se Nakulla i ka mashtruar dhe se kanë lexuar një tekst në të cilin nuk është ofenduar profeti mysliman Muhamed, por shtesë zëri në film është rixhiruar me mesazhe ofenduese.

Sekretarja shtetërore Hillari Klinton dje sërish u distancua nga publikimi i këtij filmi dhe e dënoi si “përpjekje të thellë cinike që të poshtërohet një religjion i tërë dhe të nxitet urrejtje”.

Vlerësohet se në SHBA jetojnë rreth gjysmë milionë të krishterë koptë të zhvendosur nga Egjipti, ku ky komunitet numëron mbi pesë milionë banorë. Koptët amerikanë kanë rreth 200 kisha në mbarë territorin e SHBA-së, në të cilat grumbullojnë të holla për të ndihmuar bashkëkombësit e tyre në Egjipt dhe lobojnë për të drejtat e koptëve egjiptianë të cilët u përballën me një valë sulmesh pas Pranverës arabe.