Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 13:53

Adis Abeba  – Rreth 200 persona u mbytën pasi që anija me imigrantë ilegal, e cila lundronte nga Sudani për në Arabinë Saudite u dogj pas katër orëve në det.

Gjithsej 197 persona u mbytën dje në Detin e Kuq në ujërat territoriale të Sudanit, pas zjarrit në anije, me të cilën në mënyrë ilegale janë munduar të hyjnë në Arabinë Saudite, thuhet në faqen e internetit të qendrës mediale të Sudanit.

Zëdhënësi i policisë sudaneze i konfirmoi informatat e tilla, ndërsa autoritetet sudaneze kumtuan se në fatkeqësinë janë shpëtuar vetëm tre persona.

Autoritetet informojnë se operacioni për tregti me njerëz është planifikuar në rajonin Tokar në afërsi të kufirit me Eritrenë, si dhe katër banorë të Jemenit të cilët janë pronar të anijes e cila ka lundruar nën flamurin kubanez janë arrestuar. Edhe një përpjekje tjetër për bartjen e 247 imigrantëve nga Somalia, Eritrea, Çadi dhe Nigeria gjatë rajonit të njëjtë, gjithashtu ka qenë e pasuksesshme.

Sudani me bregdet në gjatësi prej 875 kilometrave dhe kufirit të gjatë me Eritrenë, Etiopinë, Çadin dhe Egjiptin është vendi kyç transit për një numër të madh të imigrantëve afrikanë të cilët përpiqen të arrijnë deri në Gadishullin Arabik me anije ose nga toka deri në Izrael.

Sipas të dhënave të UNHCR-së në Sudanin Verior ka të paktën 100.000 refugjatë nga Eritrea, ndërsa numri më i madh jetojnë në kampe mes kufirit me fqinjët lindorë.

Njëkohësisht, dhuna në Somali dhe periudha e gjatë e thatësirës detyruan më shumë se 135.000 qytetarë këtë vit ta lëshojnë vendin, prej të cilëve, vetëm në qershor kanë ikur 54.000 persona.