Lajme Shqip Friday, 31 August 2012 15:03

Srugë – Mbyllen paralelet me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë të Strugës. Këtë vendim prindërve të nxënësve të Podgorcës që tre vite me radhë vijuan mësimin në gjuhën shqipe, ua ka bere me dije vetë kreu i komunës Ramiz Merko, vetëm disa ditë para fillimit të vitit shkollor. Mësohet se, Merko i ka njoftuar se vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit  dhe  Shkencës, gjegjësisht nga ministri, Pançe Kralev.

Kryetari i Këshillit të prindëve të nxënësve, Fadil Ramadani- Rexhoski, deklaroi se, njoftimi  nga kryebashkiaku i Strugës ju është dhënë në mbrëmjen e së mërkurës, me rastin e një vizite private tek njëri nga prindërit e nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe.

“Nuk na ka habitur fare ky vendim, për ndërprerjen perfundimtare të mësimit në gjuhën shqipe, por, na ka habitur më shumë mënyra se si na është bërë e ditur, si  na është kumtuar. Ne nuk jemi ilegal në Podgorcë, as fëmijët nuk i kemi ilegalisht, e as mësimin nuk e kanë vijuar fëmijët tanë ilegalisht, që edhe vendimi  të na komunikohet në një mënyrë gati ilegale. Ka qenë e udhës që Këshilli i prindërve të ishte ftuar në takim dhe do të informoheshim drejtë”- tha Fadil Ramadani- Rexhoski.(INA)