Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 16:15

Strasburg – Me 506 vota për, 44 kundër dhe 44 të përmbajtur Parlamenti Evropian e miratoi Rezolutën për zhvillimin e Republikës së Maqedonisë në rrugën drejt BE-së. Mesazhi kryesor i Rezolutës është se Parlamenti Evropian edhe një herë kërkon hapjen urgjente të negociatave për anëtarësim në BE, me ankesë që Këshilli i BE-së nuk i ka ndjekur rekomandimet e deritanishme të Europarlamentit dhe Komisionit Evropian.

Eurodeputeti grek Nikolaos Salavrakos, siç paralajmëroi edhe gjatë debatit, kërkoi të anulohet votimi i rezolutës, për arsye, siç tha, kompromitimit të përpunuesit të saj – eurodeputetit slloven Zoran Taler dhe ajo sërish të vendoset në rend dite pas tre muajve.

Raportuesi i përkohshëm, eurodeputeti bullgar Krisitian Vigenin e hodhi poshtë kërkesën, duke e vlerësuar si “propagandë”, duke theksuar se për Rezolutën u arrit pëlqim i gjerë nga grupet politike dhe se ajo mori mbështetje të gjerë nga Komisioni për punë të jashtme të PE-së. Pas këtij sqarimi shumica e eurodeputetëve dhanë pëlqim që të votohet Rezoluta.

Fundi i votimit kaloi me incident të vogël pasi Eduar Kukan kërkoi që versioni final i Rezolutës të votohet me votim nominal, për të cilën gjë nuk u pajtuan disa eurodeputetë britanikë, pas së cilës e braktisën sallën. Megjithatë, votimi i versionit final ishte nominal.