Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 17:08

Shkup – Norvegjia i përkrah integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe pret largimin sa më të shpejtë të pengesës së fundit për pranim të vendit në NATO, deklaroi , shefi i diplomacisë norvegjeze, pas takimit në Shkup me homologun e tij, Antonio Milloshoski.

“Ne i përkrahim aspiratat euroatlantike të Maqedonisë dhe do të dëshironim ta shohim si aleat norvegjez në NATO sa është e mundur më shpejtë. Kjo ka të bëjë me atë që ushtarët nga Norvegjia dhe Maqedonia krah për krahu punojnë së bashku në misionin në Afganistan. Presim të largohet edhe pengesa e fundit për pranimin e Maqedonisë në NATO dhe premtojmë përkrahje dhe ndihmë norvegjeze për reformat e vazhdueshme në vend”, tha Store.

Ai posaçërisht e nënvizoi gatishmërinë për përkrahjen e reformave në ekonomi dhe jurisprudencë.

Ministri Milloshoski tha se Maqedonia është e vetëdijshme se e cilit lloj është pengesa për pranim në NATO, por edhe falënderohet për ndihmën e vazhdueshme të cilën Norvegjia ia jep. Ai theksoi se në takimin u bë fjalë edhe për dialogun mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe për përkushtueshmërinë që Maqedonia e ka në zgjidhjen e kësaj çështje, tërë kjo me qëllim, siç tha, që të mund të arrihet deri në kompromis dinjitoz, i cili nuk do të jetë në dëm të dinjitetit kombëtar të maqedonasve.

Dy ministrat i përmendën marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira mes dy vendeve dhe e theksuan nevojën për përparim të bashkëpunimit ekonomik, duke i marrë parasysh potencialet, të cilat ekzistojnë në këtë sferë. Në këtë kontekst, sot dy ministrat nënshkruan Marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen nga evazioni fiskal lidhur me tatimet e të ardhurave mes dy vendeve.

U bisedua edhe për gjendjet në rajon me theks në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin të dy vlerësojnë se meriton përkrahje, pasi mund të kontribuojë për stabilitetin rajonal.

Gjatë takimit u bë fjalë edhe për bashkëpunimin mes Maqedonisë dhe Norvegjisë në sferën multilaterale. Milloshoski dhe Store u pajtuan se të dy vendet realizuan bashkëpunim të mirë edhe në këshillin e Evropës, ku Maqedonia ka kryesuar vitin e kaluar, ndërsa Norvegjia e ka nominuar sekretarin e tanishëm të përgjithshëm të kësaj organizate ndërkombëtare. Dy bashkëbiseduesit paralajmëruan vazhdim të këtij bashkëpunimi në pjesën e reformave të KE-së, për shkak të ballafaqimit të sfidave të cilat vijojnë.