Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 17:42

Beograd-Serbia vazhdon të insistojë në përdorimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviç deklaroi sot se nuk mund të ketë marrëveshje për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa respektimin e rezolutës 1244.

Deklarata e tij tregon edhe një herë se një marrëveshje për këtë çështje është shumë e vështirë të arrihet pasi qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit janë shumë larg njëra tjetrës.

Stefanoviç thotë se është i gatshëm për vazhdimin e dialogut, por pa respektimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në parfaqësimin rajonal të Kosovës, nuk ka hapësirë për marrëveshje.

“Presim që të respektohet ajo që është fakt i njohur ndërkombëtar- Rezoluta 1244. Shpresoj që Prishtina të ndryshojë qëndrim”-ka thënë Stefanoviç.

 Vetëm një ditë më parë pas takimit me Kuper, kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri garantoi se perfaqesimi i Kosovës do të bëhet si shtet i pavarur dhe sovran duke hedhur poshtë plotësisht përfaqësimin e saj nën rezolutën 1244.

Tahiri, theksoi se qëndrimet janë shumë larg njëra tjetrës dhe Kosova nuk do të heq dorë nga sovraniteti i saj, gjatë pjesëmarrjes në takimet rajonale.

Sipas saj, Serbia po vazhdon të insistojë në rezolutën 1244. Kryenegociatorja tha se ka kërkuar nga ndërmjetësi Cooper implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash.

Ajo ka akuzuar Serbinë për mos zbatim të tyre dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Për shkak të qëndrime të kundërta, ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel ndërmjet Delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. (LajmeShqip.com)