Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 17:37

Beograd – Paralajmërimi i presidentit Tomisllav Nikoliq se shef të ekipit negociator me Prishtinën do ta propozojë Ivica Daçiq, ka treguar se Nikoliq çështjen e ka kaluar në qeveri dhe e ka kuptuar se Kosova është temë jo e popullarizuar e cila mund të kushtojë shumë pika politike, ka deklaruar ish-shefi i ekipit të Beogradit në dialog me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq.

Ai ka shtuar se çka do që të bëj është shumë vështirë të zgjidhet, e sidomos për këtë qeveri e cila nuk ka kurrfarë plani për Kosovën. Stefanoviq ka thënë se qytetarët e Serbisë i presin çaste shumë të vështira – frenimi i integrimeve evropiane dhe njëkohësisht moszgjidhja e çështjes së Kosovës.

“Nëse presidenti në emisionin televiziv (mbrëmë në TV 92) mund të paraqes një varg të pavërteta lidhur me procesin e mëparshëm negociator dhe nëse çdo pjesë e trupit i rebelohet për shkak të marrëveshjeve që janë arritur, unë serish u bëj thirrje ta anulojnë atë që konsiderojnë se nuk vlen, sepse asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar”, ka thënë Stefanoviq.

Ai konsideron se të gjitha marrëveshjet janë të mira për interesat serbe dhe koha që po vjen këtë do ta vërtetojë, sidomos në dritën e asaj që e pret ekipin ri negociator në ballë me Daçiqin, ”i cili do të ketë rastin t’i mëshojë me grusht tavolinës dhe të kërkojë ndarjen e Kosovës”.

Stefanoviq ka theksuar se ndarja e Kosovës është plotësisht jo reale dhe ka shtuar se Partia Demokratike (DS) do ta mbështes çdo zgjidhje që është reale dhe në harmoni me Kushtetutën. (LajmeShqip.com)