Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 18:39

Diçka do jetë ndryshe nga sa ka qenë tani kur Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy do të dalin sot pasdite në të parën intervistë të tyre të përbashkët në pallatin Elysee.

Si gjithmonë do të flitet për euro- krizën, veçanërisht për pyetjen nëse Greqia do shpëtohet brenda këtyre ditëve, apo do shkojë në falimentim, dhe për të gjitha temat e mëdha, për zgjidhjen e të cilave po mundohen këto dy vite Sarkozy dhe Merkel. Do të jetë një shfaqje e madhe në sallonin Murat, një sallë luksi e veshur me ar dhe pasqyra.

Por mbi të gjitha do të jetë edhe dalja e parë në fushatë, që bën Merkel për Sarkozy, e në këtë mënyrë është preludi i ndërhyrjes më të qartë që ka bërë një kancelar i historisë së Republikës Federale në politiken e brendshme të një vendi fqinj.

Kancelaria ka vendosur që të mbështesë me gjithë pushtetin e saj rizgjedhjen e Sarkozy, njeriut me të cilin në fillim nuk merrej vesh fare, por me të cilin u mësua dhe tani i beson për të zgjidhur krizën sipas një linje të përbashkët.

Kancelaria po merr përsipër një rrezik të madh. Mbi të gjitha dalja e saj ofendon kandidatin kundërshtar të Sarkozy, Francois Hollande, që sipas sondazheve është përpara dhe ndoshta Merkelit do i duhet të bashkëpunojë me të.

Po ashtu rrezikon të zgjohen ndjenjat e vjetra për një dominim të Gjermanisë mbi Francën, duke e ndarë vendin në një të djathtë pro- gjermane dhe një të majtë anti- gjermane. Po ashtu ekziston rreziku se mbështetja e saj ndaj Sarkozy mund ta dëmtojë këtë të fundit.

Kancelaria do të dalë minimumi dy herë në fushatë për Sarkozy. Ajo do jetë në skenë edhe kur të bëhet shpallja e madhe, kur presidenti të deklarojë zyrtarisht kandidaturën e tij, në fund të shkurtit ose fillim të marsit.

Nga ana tjetër, kandidati rival i Sarkozy, po kërkon prej javësh që të takojë kancelaren. Një zyrtar i të majtëve tha se nuk është e domosdoshme të jetë një takim i gjatë. Ka pasur një traditë që kancelari i priste kandidatët më të rëndësishëm pavarësisht nga prejardhja politike.

Por njerëzit e Merkel po gjejnë një argument diplomatik për të refuzuar këtë kërkesë. Cilido të jetë argumenti, ai do jetë fyes për Hollande. Socialistët nuk kanë reaguar deri më tani për lajmin.

 

*Marrë me shkurtime nga Spiegel