Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 17:35

Madrid – Kryeministri i Spanjës, Hose Luis Rodriges Sapatero, sot e vizitoi Lorkën, ku mori pjesë në varrimin e viktimave nga tërmeti, që të mërkurën në mbrëmje e goditi këtë qytet të Spanjës.

Në tërmetin me intensitet prej 5.3 ballësh e humbën jetën nëntë persona, ndërsa disa qindra janë të lënduar.

Autoritetet spanjolle shpallën edhe ditë zie dyditore për viktimat nga tërmeti.

Disa mijëra persona edhe natën e kaluar e kaluan jashtë nga shtëpitë e tyre, por për dallim nga nata e parë kur mbetën nën qiellin e hapur, këtë herë pjesa më e madhe prej tyre u vendosën në tenda të Kryqit të Kuq dhe të ushtrisë së Spanjës.

Në tërmetin, më i fuqishmi në Spanjë në 50 vitet e fundit, janë dëmtuar rreth 20.000 objekte, midis të cilëve edhe një numër i madh të ndërtuara në shekullin e 16-të dhe 17-të. Një numër i madh i automjeteve mbetën të ngujuara nën rrënoja.

Kryqi i Kuq menjëherë dërgoi tenda për akomodime të përkohshme me 800 krevate, por apeloi për ndihmë shtesë për krevate dhe batanije.

Në Lorkë janë dërguar 225 ushtarë nga njësitë për gjendje të jashtëzakonshme dhe 400 anëtarë të ekipeve të shpëtimit.

Spanjën çdo vit e godasin disa qindra tërmete, por shumica e tyre janë shumë të dobët që të ndjehen.