Lajme Shqip Tuesday, 06 November 2012 09:59

SHBA(PLOTESUAR 06 NENTOR 17:00)- Amerika voton sot për të zgjedhur mes Barack Obamës dhe Mitt Romney se cili do ta drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme. 
Vendimi i sotëm i popullit amerikan do t’i japë një mandat të dytë presidentit Barack Obama ose do të sjellë në krye të Shtëpisë së Bardhë rivalin e tij republikan, Mitt Romney.

Mësohet se janë hapur tashmë qendrat e votimit në shtetet kyce të Amerikës. Mediat vendase raportojnë se qendrat e votimit janë hapur tashmë në Virxhinian Perëndimore, në Karolinën e Veriut dhe në Ohajo. Qendrat e para të votimeve u hapën pak më parë në rajonet e brigjeve lindore të SHBA-së, ndër të cilat në Nju Jork dhe Nju Xhersi, ku ende është e pranishme emergjenca e shkaktuar nga uragani ”Sandy”.

Gjatë ditës së sotme parashikohet të votojnë mbi 200 milionë zgjedhës në të gjithë SHBA-në. Përveç presidentit, sot votohet edhe për rinovimin e Dhomës së përfaqësuesve dhe një të tretës së Senatit, në disa shtete zgjidhen edhe guvernatorët.

ROMNEY VOTON
Kandidati republikan, Mitt Romney ka hedhur votën e tij në shtetin e Masaçusets në zgjedhjet presidenciale të Shteteve te Bashkuara. Cifti Romney votoi në orën 9:00 të mëngjesit me orën lokale ndërkohë që menjëherë pas kësaj ai u nis drejt Bostonit për të takuar mbështetësit e tij.
Miliona zgjedhës në mbarë vendin kanë hedhur votat e tyre në votimet e hershme. Por shumica dërrmuese e elektoratit do të shkojë në qendrat e votimit sot të ngritura në shkolla, stacionet e zjarrfiksave, apo në kisha.

VOTAT E PARA
Fletët e para të votimit të këtyre zgjedhjeve u hodhën mëngjesin e së martës në qytetin e vogël të New Hampshire, në Dixville Notch, ku secili nga kandidatët mori nga pesë vota.

Gara e ngushtë presidenciale ngre shqetësime të diskutueshme gjithnjë e në rritje, dhe ngjan me zgjedhjet e vitit 2000 mes republikanit Xhorxh W.Bush dhe demokratit Al Gore, rezultatet e së cilës u vendosën nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara. Në të dyja fushtatat janë grumbulluar ekipe ligjore për t´u marrë me probleme të mundshme gjatë votimeve, sfida apo rinumërime.

Multimilioneri Romney, ish-drejtues i një fondi kapital privat, do të ishte presidenti i parë mormon dhe një nga amerikanët më të pasur që do të drejtonte Shtëpinë e Bardhë. Obama, presidenti i parë më ngjyrë, po konkurron për një mandat të dytë.

Në komunitetin tjetër, Hart’s Lokation që numëroi 33 vota në pesë minuta e 42 sekonda, Obama fitoi 23 vota ndërsa Romney 9 vota.
Këto dy fshatra gjithmonë kanë votuar të parat pasi gëëzojnë një status special që nga viti 1948.
Edhe pse në dukje nuk është shumë, këto vota janë vendimtare. Pikërisht nga ky shtet e pësoi Al Gore në vitin 2000 kur fitoi votat popullore, por humbi në Kolegjin Zgjedhor përballë Xhorxh Ë. Bush. Nëse do të kishte fituar në Nju Hemsher, AL Gore do të ishte shpallur president.(LajmeShqip.com)

**********************************************************

SHBA Pas një fushate që ka zgjatur më shumë se një vit, populli amerikan tani do të vendosë se kush do të shërbejë si president dhe nënpresident i ardhshëm i vendit.

Votimi është një nga të drejtat dhe detyrat më të rëndësishme të qytetarit. Kushtetuta amerikane u rezervon 50 qeverive shtetërore autoritetin për të përcaktuar kualifikimet e votuesve dhe mënyrat e votimit në shtetin e tyre. Kur u miratua Kushtetuta dy shekuj më parë, votimi ishte i kufizuar mes burrave të bardhë dhe në shumë shtete njerëzve u kërkohej të kishin një pronë me vlerë të caktuar për të patur të drejtë për të votuar.

Por ndërsa amerikanët gjithnjë e më shumë filluan të kërkonin të drejtën e votës, qeveritë shtetërore i ndryshuan këto dispozita. Kushtetuta u përditësua në vitin 1870 për të mbrojtur të drejtat e skllevërve të sapo çliruar, duke përfshirë edhe të drejtën e tyre për të votuar. Shtojca e 15-të e Kushtetutës thekson se e drejta për të votuar nuk duhet të mohohet për shkak të racës apo ngjyrës së lëkurës.

Në vitin 1920, qeveritë shtetërore ratifikuan amendamentin apo shtojcën e 19-të për garantimin e votës për gratë. Sepse disa shtete përdornin padrejtësisht listat e taksave, provimet e alfabetizmit dhe kufizime të tjera për të përjashtuar nga votimet pakicat. Kongresi amerikan miratoi aktin e së drejtës së votës në vitin 1965. Ky akt fuqizoi zyrtarët federalë për të marrë përsipër regjistrimin e votuesve në disa juridiksione ku zyrtarët vendorë kishin diskriminuar votuesit e pakicave.

E drejta e votës u zgjerua më tej në vitet 1970. Mosha ligjore për të votuar në shumicën e shteteve ka qenë 21 vjeç. Amendamenti i 26-të vendosi që mosha ligjore për të votuar në të gjithë vendin të jetë 18 vjeç.

Sot shumica e amerikanëve të cilët mund të votojnë, e të bëjnë këtë. Për shumë njerëz, votimi është një akt i rëndësishëm e gjithashtu i thjeshtë i detyrës qytetare, që merret si e dhënë, por kryhet me krenari dhe seriozitetin e qëllimit. Edhe pse tani të njohura për amerikanët, zgjedhjet demokratike sot ende mungojnë në shumë pjesë të botës.

Demokracitë si kjo e Amerikës, janë themeluar në besimin se njerëzit kanë të drejtë dhe urtësi të vendosin se kush do t’i qeverisë ata. Siç e kanë treguar zgjedhjet e kaluara, pasi vendimi është marrë, amerikanët e respektojnë atë. Zgjedhjet e vitit 2012 pritet të jenë me rezultat nga më të ngushtët deri më sot, dhe me sfida e probleme të mundshme si ato në votimet e vitit 2000, mund të duhen ditë para se të dalë se kush ka fituar. Por siç ka thënë Presidenti Abraham Linkoln, nuk mund të ketë ankesa të suksesshme ndaj një zgjedhjeje të drejtë, përveçse në zgjedhjet e ardhshme.(LajmeShqip.com)