Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 13:32

Shkup – Rejting më të madh ka VMRO-DPMNE-ja, ndërsa nga politikanët, qytetarët mbështetje më të madhe i kanë dhënë kryeministrit dhe liderit të kësaj partie, Nikolla Gruevski, bëjnë të ditur rezultate nga sondazhi telefonik që në fillim të prillit me 2.000 të anketuar e zbatoi Instituti “Pavel Shatev”.

Në pyetjen se për cilën parti do të votonit në zgjedhjet parlamentare, për VMRO-DPMNE-në janë prononcuar 23,2 për qind e të anketuarve, për LSDM-në 13,2 për qind, për BDI-në 7,1 për qind, për PDSH-në 3,7 për qind, për DR-në 1,6, për qind, për Rilindjen Demokratike Kombëtare 1,4 dhe për PLD-në 1,2 për qind. Gjithsej 24,4 për qind kanë thënë se nuk do të votojnë për asnjë parti, ndërsa 21,1 për qind nuk ka pasur përgjigje.

Të pyetur se te cili politikan kanë më shumë besim, për kryeministrin Nikolla Gruevski janë përcaktuar 24 për qind e të anketuarve, për Branko Cërvenkovskin 9,3, për Ali Ahmetin, 6,5, për Menduh Thaçin 3,4 dhe për Imer Selmanin dhe Rufi Osmanin nga 18 për qind e të anketuarve. Për asnjë janë prononcuar 37,7 për qind, ndërsa pa përgjigje janë 7,4 për qind.

Lidhur me atë se cila parti do të donin që të fitonte në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për VMRO-DPMNE-në janë përcaktuar 25,5 për qind e të anketuarve. Pasojnë LSDM-ja me 14,3, BDI-ja me 6,3, PDSH-ja me 3,5, DR-ja me 1,6 dhe RDK-ja me 1,4 për qind.

Nuk kanë pasur përgjigje 23,4 për qind e të anketuarve, ndërsa “asnjë” kanë thënë 16,6 për qind.

Rezultatet e sondazhit, i cili ka për qëllim që të matet mbështetja e qytetarëve të partive politike në Republikën e Maqedonisë, por edhe e politikanëve, sipas Instututit, nuk tregojnë ndryshime më të mëdha në rejtingun e partive dhe tek mbështetja e liderëve relevantë politikë në Maqedoni.