Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 16:47

Një snajper i Special Air Service-SAS- shpëtoi në minutat e fundit një baba dhe birin e tij nga ekzekutimi prej xhelatëve të ISIS

Ndërkohë që shtohen gjithmonë e më shumë zërat se ekipet e forcave speciale britanike SAS kanë mbërritur tashmë në Siri për të ekzekutuar drejtuesit më të lartë të Shtetit Islamik, Express raporton për një rast spektakolar.

Një snajper i Special Air Service-SAS- shpëtoi në minutat e fundit një baba dhe birin e tij nga ekzekutimi prej xhelatëve të ISIS.

Me një goditje në kokë nga 1 mijë metra largësi, ai vrau xhelatin.

Më pas u vranë edhe anëtarët e tjerë të ISIS, të pranishëm në ekzektim.

Babai dhe biri i tij do ekzekutoheshin pasi quheshin jo-besimtarë.

Një informacion mbërriti pranë njësitit të SAS, i pozicionuar pranë kufirit siriano-turk.

Nga larg, ata nisën të ndjekin “gjyqin”, përpara se të vinte ekzekutimi.

Më parë ishte menduar që të dërgoheshin dronët, por ekzistonte frika se do vriteshin civilë.

Një militant i ISIS lexoi vendimin e ekzekutimit dhe babai e biri i tij u ulën në gjunjë.

Kur xhelati po bëhej gati, erdhi goditja fatale.

“Snajperi e qëlloi xhelatin në kokë. Ai u shemb përdhe. Të gjithë po shihnin të tmerruar. Më pas snajperi qëlloi mbi dy militantë të tjerë të ISIS. Tre viktima me tre plumba. Dikush nga turma vrapoi dhe liroi babanë dhe djalin e tij. Ata i kishin sytë e lidhur. Pasi u liruan, panë kufomat dhe vrapuan. Së fundmi ata u panë duke hipur në një pick-up drejt kufirit turk,” tha një burim për gazetën.

Për fat babai e biri i tij shpëtuan, por ISIS kishte bërë disa ekzekutime të tjera.

Në vendin e ngjarjes u gjetën disa trupa të tjerë pa kokë.

Pak ditë më vonë, fshati festoi çlirimin nga ISIS./Express/