Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 08:15

Vatikani është përfshirë në një skandal të ri, ndërsa burime nga Selia e Shenjtë deklarojnë për agjencinë e lajmeve Ansa, se 20 vjet më parë, Vatikani ra dakort për të varrosur mafiozin famëkeq, Enrico de Pedis në bazilikën e Shën Apolinarit.

Varrimi u krye pranë Papëve dhe kardinalëve që kanë kontribuar ndër vite për Vatikanin dhe kishën katolike, në këmbim të 1 miliard liretave, ose 60 mijë dollarë në atë kohë.

Sipas mediave italiane, kryeprifti i Romës, kardinali Hugo Polleti në fillim hezitoi, por kur u përball me shumat e mëdha të parave nga e veja e De Pedis, ofroi bekimin e tij.

Vatikani nuk ka komentuar zyrtarisht akuzat, por deklaroi zhvendosjen e eshtrave të bosit të mafies famëkeqe të Romës para viteve ’90. Presioni u shtua ndjeshëm ndaj Selisë së Shenjtë në fillim të këtij muaji, kur një prokuror i Romës, deklaroi se kardinalë të Vatikanit janë në dijeni të lidhjeve të bandës Malianna me Selinë e Shenjtë, përfshirë edhe rrëmbimin dhe vrasjen e 15-vjecares, Emanuela Orlandi, vajza e një zyrtari të Selisë së Shenjtë e cila u zhduk në vitin 1983.

Shumë mendojnë se babai i saj kishte prova për lidhjet e bandës Malianna me Vatikanin, prandaj ajo u rrëmbye në mënyrë që i ati të mos fliste.