Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 10:34

Damask – Autoritetet siriane dërguan sot në qytetin e rrethuar jugor Dara ende ushtarë, ndërsa demonstruesit pohojnë se të paktën 62 persona janë vrarë në përleshjet e djeshme gjatë protestave në mbarë vendin, në të cilën morën pjesë dhjetëra mijë demonstrues.

Një banor i Daras theksoi se në mëngjes ka parë katër tanke dhe 20 automobila të blinduara se si hyjnë në qytetin, i cili është në qendër të protestave gjashtëjavëshe qeveritare dhe nën rrethim të forcave qeveritare nga e hëna.

Sipas të dhënave të Organizatës siriane për të drejtat e njeriut, të paktën 32 civilë janë vrarë në Dara dhe rrethinën e saj, 27 humbën jetën në Homs, në veri të Damaskut, ndërsa edhe dy tjerë janë vrarë në qytetin Latakija.

Autoritetet siriane mbrëmë kumtuan se kryengritësit kanë vrarë nëntë ithtarë të forcave të sigurisë, ndërsa janë arrestuar 156 persona.

Ndërkohë, mediat turke shpallën se 238 sirianë, mes të cilëve ka një numër të madh të grave dhe fëmijëve, kanë hyrë në territorin e Turqisë, në pjesën e rajonit jugor Hataj, duke ikur nga dhuna në vendin e tyre.

Sipas disa raporteve, nga fillimi i protestave në Siri janë vrarë 500 persona.

Uashingtoni prej mbrëmë i ka bllokuar mjetet financiare të vëllait të presidentit sirian Bashar al-Asad, i cili komandon me divizionin e katërt të armatosur, si dhe me mjetet e disa përfaqësuesve tjerë zyrtar dhe shërbimet zbuluese.

Bashkimi Evropian kumtoi se ka filluar procedura për vendosjen e embargos së armëve dhe pajisje të cilat shfrytëzohen për represionin në Siri dhe se urgjentisht do të shqyrtojë masa tjera adekuate, me qëllim që autoritetet siriane urgjentisht ta ndryshojnë politikën e tyre.