Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 08:52

Siri: Ditë vdekjeprurëse, rreth 90 demonstrues të vrarë

Aman – Forcat e sigurisë së Sirisë kanë vrarë pothuajse 90 demonstrues, me çka ditën e djeshme e bënë njërën prej ditëve më vdekjeprurëse nga fillimi i protestave në vend, të cilat zgjasin rreth një muaj, kumtuan disa aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Komitetet lokale koordinuese shpallën një listë me emra të 88 personave të cilët e humbën jetën gjatë shuarjes së protestave në Damask, Latakija, Homs, Hama dhe Izraa.

Sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Amnesti interneshënël” të vdekur janë 75 demonstrues, përderisa aktivistët sirian kumtuan për rreth 100 viktima.

Qindra mijëra njerëz dje dolën për të protestuar në Siri me kërkesë për tërheqjen e presidentit Bashar Asad nga pushteti. Ato ishin demonstratat më të mëdha që nga fillimi i trazirave në vend, të cilat filluan para një muaji. Ato ishin organizuar edhe krahas pezullimit të gjendjes së jashtëzakonshme me dekret të Asadit një ditë më parë, që ishte një nga kërkesat themelore të demonstruesve, së bashku me lirimin e të burgosurve politikë dhe shpërbërjen e regjimit aktual.