Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 10:01

Damask – Të paktën 30 persona e humbën jetën në 24 orët e fundit në qytetin lindor sirian Homs, në përleshjet midis kundërshtarëve dhe ithtarëve të regjimit të presidentit Bashar al Asad.

Në përleshje, sipas zëdhënësit të organizatës siriane për mbrojtje të të drejtave të njeriut, janë përdorur edhe armë zjarri.

Trazirat në Homs kanë shpërthyer pasi janë gjetur trupat e tre anëtarëve të partisë qeveritare, të cilët ishin zënë peng para një jave.

“Këto përleshje janë shenjë për ndryshim të rrezikshëm të karakterit të revolucionit sirian dhe janë në interes vetëm të ithtarëve të regjimit, të cilët dëshirojnë ta shndërrojnë revolucionin në luftë qytetare”, deklaroi drejtori i Observatorit sirian për të drejtat e njeriut Rami Abdel Rahman.

Sipas Rahmanit përleshjet në 24 orët e fundit mund të konsiderohen edhe për përleshje midis përfaqësuesve të dy bashkësive rajonale, sunitëve, të cilët janë shumicë e popullsisë dhe alavitëve, të cilët paraqesin pjesë të rëndësishme të elitës politike dhe ushtarake në vend.

Trazirat janë ndërprerë, pasi armata siriane ndërmori pozicione në tërë qytetin.