Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 17:12

Damask – Autoritetet siriane kumtuan të martën se banda të armatosura kriminele kanë vrarë tre oficerë dhe tre fëmijë në afërsi të qytetit Homs.

“Banda të armatosura kriminele, të cilat vendosin bllokada në rrugë dhe përhapin frikë në rajon, kanë hyrë në shtëpinë e gjeneralit Abdo Kodra Al Telavi dhe me gjakftohtësi e kanë vrarë atë, dy fëmijët e tij dhe një familjar”, njoftoi agjencia shtetërore siriane, duke theksuar se trupat e pajetë kanë qenë të “gjymtuara”.

Edhe dy oficerë ranë dëshmorë në duart e bandave të armatosura në Homs, thuhet në kumtesën qeveritare.

Nga fillimi i protestave, para më shumë se një muaj, autoritetet vazhdimisht i akuzojnë “bandat e armatosura” për dhunë në shtet.

Këtë mëngjes forcat siriane të sigurisë hapën zjarr mbi demonstruesit në Homs dhe me përdorimin e forcës i shpërndanë, deklaroi në bisedë telefonike njëri prej aktivistëve opozitarë në Damask.

Ministria siriane e Punëve të Brendshme mbrëmë vonë publikoi paralajmërim se do të parandalojë kryengritje të armatosur, e cila i dëmton sigurisë në vend.

Ministria i akuzoi “grupet e armatosura” se vrasin ushtarë, policë dhe civilë, si dhe sulmojnë prona publike dhe private, po ashtu paralajmëroi se aktivitetet e tyre terroriste nuk do të tolerohen.