Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 11:00

Kajro – (E plotësuar) Islamistët në Egjipt, kanë planifikuar për sot, pas lutjeve të së premtes, protesta të reja në Kajro. Në anën tjetër, ushtria egjiptiane është pozicionuar me forcat e saj rreth objekteve të rëndësishme. E, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje të gjitha palëve në Egjipt të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Mediat ndërkombëtare vlerësojnë se Egjipti është në prag të luftës civile, dhe paralajmërohet se konflikti i përgjakshëm në vend mund të zgjas me vite. 

 

Shtohet frika për rritjen e dhunës në Egjipt 

 

Vëllazëria Myslimane ju ka bërë thirrje përkrahësve të saj që të dalin në rrugë, duke rritur kështu frikën për më shumë dhunë në Egjipt.

Thirrja e kësaj partie për “Të Premtën e Zemërimit” u bë pasi autoritetet e rritën numrin e viktimave të përleshjeve të dy ditëve më parë në më shumë se 620 të vrarë, kryesisht civilë.

Në frontin diplomatik, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ju ka kërkuar egjiptianëve që të shfaqin “përmbajtje maksimale” dhe të përvetësojnë “ri-pajtimin kombëtar” pasi ushtria e hoqi nga pushteti presidentin islamik, Muhammed Morsi.

Deklarata është bërë publike pas një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të enjtën.

Presidenca e përkohshme e Egjiptit, në të njejtën kohë e ka publikuar një deklaratë duke i hedhur poshtë kritikat ndërkombëtare të shtypjes së protestave islamike nga forcat e rendit, edhe atë që u bë nga presidenti amerikan, Barack Obama.

Deklarata thotë se kritikat janë bërë duke mos u mbështetur në fakte dhe ato mund të inkurajojnë aktivitete të “grupeve të armatosura të dhunshme”.