Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 08:34

Alarmi gjerman për rritjen e paparishikuar të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria nuk ka lënë pa përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit të këtij vendi, shkruan sot Koha Ditore.

Fluksi në rritje i kërkesave për azil e detyroi dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Haki Çako, të apelojë te qytetarët për të mos marrë një nismë të tillë.

Gjatë inspektimit të masave nga autoritetet policore në Rinas, kreu i Policisë së Shtetit tha të martën se ata që kërkojnë azil djegin mundësinë e tyre për të lëvizur lirisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Drejtori Çako tha në vijim se policia ka rritur kontrollet në pikat e kalimit kufitar për të ndalur fluksin e azilkërkuesve, ndërsa garantoi se pikat kufitare janë të përforcuara dhe të vendosura për të mos lejuar abuzimet me lëvizjen e lirë. Ai gjithashtu tha se Policia Shqiptare është në partneritet të ngushtë me autoritetet gjermane dhe ato të vendeve të tjera të BE-së për të ndaluar këto iniciativa.