Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 10:30

Uashington – Shtëpia e Bardhë mbrëmë zyrtarisht deklaroi se nuk posedon dëshmi për ekzistimin e jashtëtokësorëve.

Kumtesa e këtillë jo e zakontë dhe befasuese e Administratës së presidentit amerikan Barak Obama paraqet përgjigje të dy peticioneve të dorëzuara deri te Shtëpia e Bardhë.

Me peticionin e parë, i cili grumbulloi 5.000 nënshkrime, kërkohet Shtëpia e Bardhë të zbardhë të gjitha informacionet të cilat i posedon për ekzistimin e jashtëtokësorëve, ndërsa me të dytin, të nënshkruar prej 12.000 qytetarëve, kërkohet administrata amerikane të pranojë se jashtëtokësorët kanë pasur kontakte me persona nga Toka.

Në peticionet pohohet se qindra persona ushtarakë amerikanë dhe përfaqësues të agjencive qeveritare kanë deklaruar se ekzistojnë jashtëtokësorë, se është kontaktuar me ta dhe se administrata zyrtarisht i fsheh ato informacione nga opinioni.

Në përgjigjen e këtyre dy peticioneve, të nënshkruara nga përfaqësuesi i Sektorit për politika shkencore dhe teknologjike të Shtëpisë së Bardhë, Fil Larson, theksohet se administrata amerikane nuk disponon me dëshmi se ekziston jetë jashtë Tokës ose se jashtëtokësorët kanë kontaktuar me njerëz të planetit.

“Nuk ka kurrfarë informacionesh se nga opinioni janë fshehur dëshmi për një gjë të këtillë”, thekson Larson.

Ai megjithatë nuk e përjashton tërësisht mundësinë për ekzistimin e jashtëtokësorëve dhe e pranon se NASA po i heton disa hipoteza në këtë temë.

Larson thekson se një numër i madh i shkencëtarëve dhe matematikanëve vlerësojnë se “thjeshtë statistikisht ekziston mundësi e madhe për ekzistimin e jetës në një prej biliona e biliona yjeve në Kozmos”, por edhe se gjasat për vendosjen e kontaktit me jashtëtokësorë janë mjaft të vogla për shkak të largësisë së madhe të yllësisë nga Toka.

Shtëpia e Bardhë para ca kohe lancoi një ueb faqe të re të quajtur “Ne, populli” përmes së cilës qytetarët mund të shtrojnë pyetje dhe kërkesa në formë të peticioneve dhe nëse ato nënshkruhen nga 5.000 persona në afat prej 30 ditëve, Administrata obligohet të japë përgjigje me shkrim. Pas vërshimit të madh të peticioneve, pragu për përgjigje është rritur në së paku 25.000 nënshkrime.