Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 09:22

Personi i dyshuar se shkrepi armë në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, mund të akuzohet për atentat mbi Obamën

Pitsburg – Personi i dyshuar se shkrepi armën në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, mund të akuzohet me tentativë për vrasjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ose të një zyrtari tjetër të lartë në Uashington.

Sipas CNN, kjo do të jetë padia e ngritur nga hetuesit amerikanë kundër Oscar Ortega Hernandez. Ai dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj Shtëpisë së Bardhë të premten e shkuar. Oskar Ortega Hernandez 21-vjeçar beson, sipas autoriteteve, se Zoti i ka dhënë atij një mision personal, të sulmojë Shtëpinë e Bardhë.

Një buletin i lëshuar nga policia amerikane thotë se 21-vjeçari në momentin e arrestimit tregonte shenja paqëndrueshmërie mendore dhe prirje dhune.

Të shtënat u dëgjuan mbrëmjen e së premtes në hapësirën mes Shtëpisë së Bardhë dhe Monumentit të Uashingtonit.

Policia zbuloi më vonë një makinë të braktisur me një pushkë brenda, ndërsa dy plumba u gjetën të martën në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku ndodhet dhe dhoma e gjumit e presidentit.

Një nga plumbat kaloi xhamin e parë të dritares, por u ndal nga paneli anti-plumb i xhamit të dytë. Ndërsa plumbi tjetër goditi pjesën e jashtme të ndërtesës.

Presidenti dhe zonja e parë nuk ndodheshin në Uashington në atë moment, ndërkohë që nuk dihet nëse atje ishin dy vajzat e tyre, Sasha dhe Malia.

Krerët e shërbimeve sekrete deklaruan për gazetarët se plumbat nuk janë lidhur ende përfundimisht me të shtënat e së premtes.

Me origjinë nga shteti amerikan i Ajdahos, Hernandez ishte shpallur person i humbur nga familja e tij më 31 tetor. Mendohet se që prej atëherë ai ka jetuar në Uashington.

Hernandez ka një dosje të pasur me arrestime, të kryera në Teksas, Juta dhe Ajdaho, por policia ka deklaruar se nuk rezulton i lidhur me ndonjë organizatë.