Shkup – Në Shkollën e mesme ndërtimore “Zdravko Cvetkoski” sot ndodhi një tragjedi e madhe. Një nxënës shqiptar u përpoq t’i ndihmojë një nxënësi tjetër – maqedonas, dhe pësoi. Vrasësit do të kapen dhe do të nxirren para drejtësisë, deklaroi sot pasdite në konferencë për shtyp ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla TOdorov pas incidentit që ndodhi në këtë shkollë të mesme.
Drejtoresha e shkollës, Dragica Kostadinovska sqaroi se incidenti ndodhi në orën 14, derisa një pjesë e nxënësve ishin vaksinuar nga fruthi.
“Nxënësi Darko Ançev ishte sulmuar nga kryes të panjohur. Në periudhën derisa ka zgjatur incidenti, që zgjati shumë shkurtë – dhjetëra sekonda, sigurimi ka reaguar. Për momentin ka dalë nga vaksinimi tashmë i ndjeri Muhamed Ali Jashari, i cili ka tentuar ta ndihmojë shokun e tij Darko, por për fat të keq ishte sulmuar nga ana e kryesve. Ishte goditur me mjet të fortë. Për momentin reagoi ekipi mjekësor dhe u ndihmoi të dy fëmijëve”, deklaroi Kostadinovska.
Ajo sqaroi se sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për një grup prej katër sulmesve të panjohur.
Nxënësit e shkollës së mesme, të cilët vijonin vitin e tretë, së pari u dërguan në Spitalin e qytetit “8 Shtatori”, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, u transferuan në Qendrën urgjente.
“Edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, Muhamedi, fatkeqësisht, vdiq dhe shpresoj se sulmuesit së shpejti do të kapen dhe dënohen”, deklaroi drejtoresha e shkollës.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski shprehi keqardhje për incidentin që ndodhi në Shkollën e mesme dhe i shprehi ngushëllime familjes së të ndjerit, Muhamed Ali Jashari.