Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 11:01

SHKUP- BDI do të kërkojë ndryshimin e himnit shtetëror të Maqedonisë. Lajmin e raporton gazeta e përditshme maqedonase “Den”, e cila i referohet burimeve të larta partiake të afërta me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tyre  në axhendë është edhe ndryshimi i himnit shtetëror, ku do të jenë të pranishme edhe elementet e bashkësisë etnike shqiptare, që janë popull i dytë në Maqedoni.

“Në BDI janë të vetëdijshëm se tani është atmosfera më e përshtatshme për të hapur këtë çështje, kur vendi po përballet me probleme dhe mospajtime të mëdha politike në planin ndëretnike”, shkruan gazeta, duke nënvizuar se shqiptarët asnjëherë nuk aplikojnë apo këndojnë himnin e Maqedonisë, por në ngjarjet e tyre kombëtare dhe në nivel zyrtar përdorin himnin kombëtar shqiptar.

Çështja e himnit shtetëror të Maqedonisë u trajtua ditëve të fundit kur në USHT në shumë aktivitete u përdor himni shqiptar, gjë që u vlerësua si provokim dhe prokuroria e përgjithshme e Maqedonisë ka ngritur hetime mbi këtë çështje, për përdorimin e një himni, siç thuhet të një shteti tjetër. (LajmeShqip.com)