Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 16:37

Shkup – Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, ka realizuar të martën takim protokollar me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku.

Që të dy kanë konstatuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes dy shteteve në sferën e mbrojtjes si edhe nevoja për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit brenda grupit të Adriatikut A5.

Gjatë takimit ambasadori shqiptar Çejku ka theksuar përkrahjen e fortë të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO.

Madje, ambasadori Çejku i përcolli ftesë ministrit Besimi për  një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Ai edhe uroi ministrin Besimi me rastin e emërimit të tij në këtë postë jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“Në takim është konfirmuar kënaqësia  e përbashkët nga bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mbrojtës midis dy vendeve, gjithashtu u konfirmua angazhimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm te tij në interes të promovimit të dialogut, bashkëpunimit, sigurimit dhe stabilitetit të tërë Rajonit”, thuhet në komunikatë.

Ministri Fatmir Besimi gjatë takimit të realizuar u falënderua për ftesën, urimet dhe për përkrahjen e hapur dhe shprehu bindjen e tij se do të kontribuoj për avancimin e relacioneve bilaterale dhe bashkëpunimin në sferën e mbrojtjes midis dy vendeve mike, si dhe ruajtjen dhe avancimin e standardeve të nevojshme për anëtarësim në NATO. (LajmeShqip.com)