Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 15:00

Tiranë- Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për lëvizjen e ndërsjelltë me karta identiteti hyn në fuqi ditën e sotme.

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ndryshimin e Marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, të nënshkruar më 19 shkurt 2008, u nënshkrua nga Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki, në datën 14 dhjetor të vitit të shkuar në Tiranë.

Marrëveshja parashikon lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së shtetasve ndërmjet dy vendeve duke përdorur për këtë qëllim edhe kartat e identitetit biometrike.

Marrëveshja është propozim i palës shqiptare, i nxitur nga përvoja pozitive e përdorimit të kartave të identitetit si mjet udhëtimi me Republikën e Kosovës. E njëjta marrëveshje zbatohet edhe me Malin e Zi. 

Këto marrëveshje do të lehtësojnë dhe nxisin lëvizjen e njerëzve, duke forcuar lidhjet ndërmjet popujve dhe bashkëpunimin rajonal. (LajmeShqip.com)