Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 09:04

Norvegji – Policia norvegjeze mund të kishte parandaluar shpërthimin në qendër të Oslos dhe mund të kishte kapur më shpejt vrasësin Breivik. Në këtë përfundim ka dalë një hetim i pavarur mbi ngjarjet që tronditën Norvegjinë në 22 korrik të vitit të kaluar. Policia Norvegjeze u kritikua që në fillim se kishte reaguar me vonesë dhe se iu desh shumë kohë për të mbërritur në ishull, pasi përdori gomonet në vend të helikopterëve.

Hetimi i pavarur ka nxjerrë 31 rekomandime kyçe, por ato çka janë më të rëndësishme janë konkluzionet e tij. Së pari që sulmi në kompleksin e qeverisë në Oslo mund të ishte parandaluar nga një implementim më efektiv i masave të sigurisë që ishin në fuqi.

Po sipas raportit, një operacion më i shpejtë i policisë për të mbrojtur njerëzit në ishullin Utoya ishte një mundësi mjaft realiste, me anë të së cilës Breivik mund të ishte ndaluar më parë, duke shkaktuar më pak viktima.

Hetimi nxjerr në pah edhe bashkëpunimin jo të mirë mes policisë dhe organizmave të tjerë të sigurisë. Shumë norvegjezë në fakt kanë shtruar pyetjen se pse policia nuk i kishte monitoruar monitoruar aktivitetet e Breivik përpara sulmeve.

Raporti lavdëron vetëm komunikimin e qeverisë me publikun, ndërsa shprehet i kënaqur me shërbimet shëndetësore dhe shërbimet e tyre efektive.
Breivik ka pranuar vrasjen e 77 personave dhe plagosjen e më shumë se 240 të tjerëve. Vendimi në gjyqin e tij pritet të jepet më 24 gusht.

Sulmet e korrikut 2011, që konsiderohen si aktet më të tmerrshme të dhunës në Norvegji, që prej Luftës së Dytë Botërore, kanë nxitur një debat kombëtar mbi natyrën e tolerancës dhe demokracisë në këtë vend. (LajmeShqip.com)