Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 22:54

Bruksel-Mosmarrëveshjet mes presidentit francez Nikola Sarkozi dhe kryeministrit britanik Devid Kameron shihen qartë edhe në detajet më të vogla, që s’mund ti shpëtonin kurrësesi kamerave të pranishme në samitin e liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel.  

“Mospërfillja”, e kanë quajtur mediat britanike, kalimin e kreut të Elizeut në sallën e madhe ku u zhvillua samiti, ku shihet qartë se si Sarkozi eviton ti japë dorën kryeministrit britanik. Dhe ky është pikërisht momenti kur Sarkozi tregon hapur se çfarë mendon për veton që Kameron i vuri ndryshimeve të traktatit të BE-së.

Pas një nate të gjatë debatesh, Kameron i afrohet Sarkozisë me një dorë të zgjatur dhe shprehjen e fytyrës sikur është gati të shtrëngojnë duar si për të treguar se nuk ka hatërmbetje mes tyre.

Por Sarkozi jo vetëm që nuk ka ndërmend ti japë dorën kryeministrit britanik por edhe e shmang tërësisht atë duke përshëndetur dikë tjetër nga e ana e tij e djathtë. Kameron bën sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe e përdor dorën e refuzuar për ti dhënë Sarkozisë një rrahje në shpatulla, gjysmë miqësore dhe disi nga zori ndërsa ecën tutje me një buzëqeshje të dëshpëruar në fytyrën e tij.

Përpjekjet e Gjermanisë dhe Francës për të bindur të 27 vendet anëtare për të pranuar propozimin e tyre dështuan kryesisht për shkak të refuzimit të Kameron për të hequr dorë nga disa kompetenca të Britanisë së Madhe. Dhe Sarkozi e bëri të qartë se për dështimin, fajtor ishte pikërisht ai, kryeministri britanik. (LajmeShqip.com)