Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 13:20

Bruksel-Serbia ka marrë zyrtarisht statusin e kandidatit për në BE. Mbrëmë vonë 27 shtetet anëtarë të BE-së kanë dhënë pëlqimin për kandidaturën e Serbisë. Vendimin e shpalli presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, i cili theksoi se ky është edhe rezultat i dialogut Beograd – Prishtinë.

“Kjo është një e arritje e mrekullueshme dhe është rezultat i përpjekjeve të demonstruara nga të dy palët në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian.

Ai ka theksuar se Serbia tani duhet t’i plotësojë kriteret politike dhe ekonomike për anëtarësim në BE. “Po ashtu, shpresoj se Beogradi do të vazhdojë ta mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Van Rompuy.

Presidenti Boris Tadiç ka thënë se statusi i kandidatit Serbisë do t’i sjellë siguri ekonomike, pasi që sipas tij vendi tashmë ka garancion për investimet e huaja, duke lejuar ardhjen e investitorëve të huaj, rritjen e vendeve të punës dhe shanse më të mëdha për punë për të gjithë njerëzit.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për procesin politik dhe të integrimit” ka deklaruar Tadiç. Ndërkaq, opozita në Serbi nuk e ka pritur me entuziasëm kandidaturën për në BE.

Lideri i Partisë Demokratike Serbe, Vojislav Koshtunica, ka thënë se Serbia nuk ka asnjë arsye për të festuar statusin e kandidatit.

“Kush feston në Serbi marrjen e kandidaturës. A feston një komb që nuk ka punë, që është varfëruar. Kush përveç qeverisë mund të festojë marrjen e kandidaturës, kur të gjithë e dimë se me farë çmimi është paguar kandidimi”, pyet Koshtunica. Megjithatë, Serbia tani duhet të bëjë përgatitjet që brenda një viti të mund të fillojë bisedimet për anëtarësim, të cilat mund të zgjasin disa vjet. (LajmeShqip.com)