Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 14:54

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë, të mërkurën, ka votuar propozim-vendimin që Dhoma legjislative të ketë tre nënkryetarë, siç ishte deri tani. Një nënkryetar do jetë nga VMRO-ja, një nga BDI dhe një nga LSDM.

Në ditët në vijim, sipas burimeve të Portalit Lajmeshqip.com, do të dihen emrat e nënkryetarëve, ndërsa, sipas burmeve partiake ata do jenë: Svetllana Jakimovska, nga VMRO, Jani Makraduli, nga LSDM dhe Hajrullah Misini – Shpati, nga BDI.

Parlamenti sot duhet të sjellë vendimin për formimin e komisioneve parlamentare dhe themelimin e delegacioneve dhe grupeve parlamentare dhe sferave të bashkëpunimit ndërkombëtarë.

Gjithashtu, gjatë seancës do të votohen edhe vendimet për formimin e trupave punuese dhe delegacioneve për bashkëpunim ndërkombëtar. Në rend dite të seancës do të jetë ndryshimi i vendimit për themelimin e Këshillit Nacional për euro-integrime, ndërsa parashikohet që anëtarët e këtij këshilli të kenë edhe zëvendësit e tyre.

Në bazë të këtij propozimi ku janë nënshkruar përfaqësuesit e VMRO-së, LSDM-së, PRSD-së, PAE-s, BDI-së dhe PDSH-së, Këshilli do ketë kryetar, nënkryetar, 15 anëtarë si dhe 9 zëvendës-anëtarë.

Nga komisionet më shumë anëtarë pra 16, krahas kryetarit do ketë Komisioni për çështje kushtetuese. 12 anëtarë janë paraparë për Komisionin juridik-ligjvënës, si dhe Komisione parlamentare për mbrojtje dhe siguri, sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, për politikë të jashtme, për çështje evropiane, për financim dhe buxhet, për arsim, kulturë, shkencë e sport, për punë dhe politikë sociale, për pushtet lokal dhe për zgjedhje dhe emërime. (LajmeShqip.com)