Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 08:05

Shkup-Kosova nuk ishte pjesëmarrëse dhe nuk është ftuar në Konferencën ministrore për bashkëpunimin në fushën e sigurimit të kufijve në Evropën Juglindore, që përfundoi sot në Shkup.

Në axhendën e këtij takimi dyditor të nëntë ministror të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë dhe nën patronazhin e presidencës daneze të BE-së, Kosova nuk ishte ftuar edhe pse kohë më parë me Marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit u pranua pjesëmarrja e saj në forumet dhe takimet rajonale.

Nga MPB kanë theksuar se nuk konferenca rajonale është vazhdimësi e konferencave të tjera me radhë ku marin pjesë vendet e rajonit, ndërsa ato theksuan se në të ardhmen do të diskutohet edhe prania e Kosovës.

Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç, Sadik Ahmetoviç nga Bosnjë-Hercegovina, Ivan Brajoviç nga Mali i Zi, zëvendësministri i Shqipërisë, Avenir Peka.

Ata nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e sigurimit të kufijve përmes qendrave të përbashkëta të kontaktit. (INA)