Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 19:45

Shkup – Ish-ambasadori amerikan Filip Riker do të jetë një nga mysafirët në shënimin e 10 vjetori të Marrëveshjes së Ohrit. Përveç Rikerit, pritet edhe pjesëmarrja e diplomatëve të tjerë amerikan, në mesin e tyre, edhe Xhemjs Perdju, si një nga lehtësuesit për arritjen e marrëveshjes së paqes të vitit 2001, si dhe lehtësuesi i BE-së, diplomati Alen Leroa.

Zyrtari i lartë amerikan, Filip Riker të premten pritet të mbërrijë në Ohër, për të qenë pjesë e Konferencës ndërkombëtare për shënimin e 10 vjetorit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Konferenca organizohet nën patronazhin e sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit dhe zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi, ndërsa bartës i disa aktiviteteve të konferencës do të jetë edhe presidenti Gjorgje Ivanov.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë Muhamet Hoxha, ngjarja kryesore do të mbahet më 12 dhe 13 gusht, në ditën e nënshkrimit të MO-së dhe këtyre ditëve në organizim të Sekretariatit për implementimin e MO-së do të mbahet një konferencë ndërkombëtare. “Gjithashtu, po në Ohër do të jetë edhe pritja tradicionale e zëvendëskryeministrit i cili është i angazhuar për implementimin e këtij dokumenti paqësor. Ftesa janë dërguar zyrtarëve më të lartë të në vend si dhe personaliteteve eminente jashtë Maqedonisë”, ka thënë Hoxha.

”Ftesa janë derguar edhe aktorëve kryesor apo më mirë dhënë të nënshkruesve të marrëveshjes së Ohrit, sepse njëri nga sesionet e konferencës ka të bëjë mu pikërisht ne aktorët kryesorë rreth nënshkrimit të MO-së. Ftesë i kemi dërguar ish kryeministrit Lupço Georgiveski, liderit të LSDM-së Branko Cërvenkovski si dhe ish kryetarit të PDSH-së, Arbër Xhaferi”, ka thënë më tej Hoxha.

Por, mungesën në këtë konferencë e kanë paralajmëruar dy nënshkruesit e saj, ish-lideri i PDSH-së Arbër Xhaferi si dhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski. Këtij 10 vjetori do t’i mungojnë edhe dy liderët politik të ndjerë, ish-presidenti Boris Trajkovski dhe ish-lideri i PPD-së, Imer Imeri. Konferenca pritet të ndiqet nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski dhe kryetari i VMRO-DPMNE dhe kryeministri Nikolla Gruevski si dhe liderë të partive të tjera politike. Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes kornizë është duke i përfunduar aktivitetet për 10 vjetorin. Manifestimi qendror do të mbahet më 13 gusht kur dhe është nënshkruar dokumenti. (LajmeShqip.com)