Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 12:15

Shkup – Prokuroria e Përgjithshme e Shkupit ka bërë të ditur se do të veprojë sipas interpretimit autentik të Ligjit për amnisti të miratuar nga Parlamenti, për mbylljen e rasteve të Hagës.

Prokurori i përgjithshëm, Lupço Shfërgovski, ka thënë se katër rastet do të mbyllen sipas Ligjit.

Rasti i parë i “Punëtorëve të Mavrovës”, i cili ka të bëjë me akuzën e ngritur ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së për maltretimin e disa punëtorëve maqedonas, tashmë është në procedim dhe janë mbajtur disa seanca gjyqësore. Prokuroria vlerëson se ekzistojnë dy mënyra për të mbyllur këtë rast nëpërmjet rrugëve juridike. Së pari, Gjykata Penale në Shkup, duke vepruar sipas detyrimeve ligjore për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti, nëpërmjet rrugës zyrtare mund të ndërpresë procedurën. Dhe së dyti, Prokuroria mund të tërheq akuzën.

Rasti i dytë “Penda e Likovës”, që ka të bëjë me ish-komandantë të UÇK-së për ndërprerjen e furnizimit të ujit nga liqeni artificial i Likovës për banorët e Kumanovës gjatë konfliktit të vitit 2001, është në fazën e parë të hetimeve. Ky rast mund të vendoset ad-acta duke u mbyllur hetimet të bazuara sipas nenit 164 nga Ligjit për procedurë penale, ndërsa vendimi miratohet nga Këshilli i Gjykatës Penale.

Edhe dy rastet e tjera “Udhëheqësia e UÇK-së” dhe zhdukja e civilëve maqedonas “Neproshten”, do të mbyllen përmes vendimit të Këshillit të Gjykatës Penale dhe mbylljen e hetimeve. (LajmeShqip.com)