Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 18:22

Shkup – Projekti “Shkupi 2014” në sheshin e Shkupit po vazhdon të rrisë koston e harxhimeve shumëmilionëshe. Ditëve të fundit, Ministria e Kulturës ka arritur marrëveshje të re pa shpalljen e konkursit publik për punimin e disa skulpturave të personaliteteve artistike dhe skulptura arti.

Për këtë projekt të skulpturave janë ndarë rreth 600 mijë euro. Pastaj, ndërtimi i Teatrit të Vjetër të Shkupit në pjesën e djathtë të lumit të Vardarit ka arritur një çmim mbi 20 milion euro.

Nga Ministria e Kulturës kanë bërë të ditur se këto skulptura nuk do të simbolizojnë personalitete konkrete të artit, mirëpo ato do të simbolizojnë teatrin, literaturën dhe dramën. Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se përfundimi i punimeve të këtij teatri do të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. Teatri i Vjetër i Shkupit është pjesë e projektit “Shkupi 2014”, që ka arritur një shumë të ndarë nga buxheti prej mbi 200 milion euro.