Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 13:29

Shkup – Të punësuarit shqiptarë në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), janë ndjerë të zhgënjyer nga ndarja e kulaçit qeveritar. Siç mëson “Lajmeshqip.com”, nga të dhënat e disa mediave, posti i ministrit, zëvendës ministrit dhe i sekretarit shtetëror të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) nuk do t’ju takojë shqiptarëve.

“Të gjithë, 130 të punësuarit në MPJ janë ndier të zhgënjyer nga kjo informatë që morën. Kjo ministri është një nga ministritë kyçe në Maqedoni dhe do të ishte shumë keq që shqiptarët të mos kenë asnjë post të lartë”, kanë thënë burime nga kjo ministri. Megjithatë, të punësuarit ende shpresojnë që zëvendës ministri apo sekretari shtetëror të jetë shqiptarë, pasi që për këto poste ende nuk është vendosur asgjë. “Akoma presim që të paktën njëri nga dy postet, i zëvendës ministrit dhe ai i sekretarit shtetëror t’u takojë shqiptarëve. Meqë deri tani çështja e ministrit dihet, për zëvendës ministrin dhe sekretarin shtetëror ka akoma kohë dhe ende ka shpresa që njëri nga këta të jetë shqiptarë”, kanë thënë burimet.  Sipas tyre, nëse BDI-ja mendon se në MPJ-në është kryer puna dhe është realizuar punësimi i 20 për qindëshit, gabon, sepse të punësuarve në këtë ministri “mund t’u përsëritet e njëjta që iu bë të punësuarve në Ministrinë e Kulturës para dy viteve”.

“Të punësuarit tremben se edhe këta do të përfundojnë duke pastruar si të punësuarit shqiptarë në Ministrinë e Kulturës. Meqë në MPJ, zëvendës ministri nuk ka shumë ingerenca ata mendojnë që më mirë do të ishte që shqiptarët të marrin postin e sekretarit shtetëror pasi aty bëhen organizimet”, kanë thënë burimet.