Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 14:17

Shkup – Lëvizja Qytetare “Zgjohu” përkrahë kërkesat e prindërve të nxënësve shqiptarë nga shkolla fillore “Vëllazërimi”, në komunën Karposh, dhe solidarizohet me veprimet e nxënësve, prindërve dhe arsimtarëve shqiptarë.

“Shkolla fillore ‘Vëllazërimi’ ka regjistruar 36 nxënës shqiptarë në një klasë, që është në kundërshtim të plotë me ligjin i cili parasheh që një klasë nuk guxon të ketë më tepër se 34 nxënës, por në rast se ka më shumë nxënës atëherë duhet të hapen klasë të reja. Gjithashtu, 16 nxënës të tjerë shqiptarë nuk po regjistrohen dot, gjoja për arsye të rajonalizimit dhe se jetojnë në komunë tjetër. Kjo shkollë gjithëmonë ka patur dy klasa shqiptare. Diskrimini i Komunës Karposh ndaj shqiptarëve shfaqet qartazi edhe kur komuna renovon të gjitha shkollat përreth, përveç ‘Vëllazërimit’ si dhe kur reagon kundër vendosjes së institutit Albanologjik në këtë komunë, në objektin e ish Ambasadës Amerikane”, thuhet në kumtesën e organizatës “Zgjohu”.

“Një kundërshtim të ngjashëm komuna e shfaqi edhe kur shqiptarët po ndërtonin Xhaminë me vetkontribut në Nerez. Arroganca e kryetarit Stefço Jakimovski ngjallë dyshime për një plan djallëzor për mbylljen graduale të paraleleve shqiptare pranë shkollës Vëllazërimi dhe refuzimin e çdo institucioni shqiptar në teritorin e komunës Karposh me qëllim të largimit të shqiptarëve nga kjo komunë. Kjo tendencë duhet të parandalohet duke filluar me zhveshjen e kryetarit Jakimovski nga ingerencat mbi arsimin fillor në këtë komunë”, thuhet më tej në kumtesë.

“Në këtë mënyrë nuk ndërtohet mirëbesimi dhe toleranca. Në dhjetë vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit e cila ndërtoi Maqedoninë e re të pas vitit 2001, Komuna Karposh po shfaq elemente të ksenofobisë në vend se të promovojë bashkëjetesën me bashkëqytetarët e vet shqiptar. Zgjohu! bashkërenditet me nxënësit, prindërit dhe arsimtarët që po kërkojnë arsimimin në gjuhën e tyre amtare dhe kërkon që komuna Karposh dhe Ministria e Arsimit të plotësojë kërkesat e qytetarëve”, përfundon reagimi i organizatës “Zgjohu”. (LajmeShqip.com)