Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 19:01

Shkup – Koalicioni qeveritar VMRO-BDI, gjatë 100 ditëve të para, do ta zgjidhin përfundimisht edhe statusin e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të UÇK-së si dhe familjarëve të tyre. Kjo, jo zyrtarisht bëhet e ditur nga zyrtarë të lartë të BDI-së, të cilët sigurojnë se kjo është pika e katërt e marrëveshjes së arritur për formim të Qeverisë, siç ishin edhe tre ligjet, të cilat tanimë u miratuan nga shumica parlamentare.

“Përveç Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Parlament, Ligjin për flamurin si dhe mbylljen e rasteve të Hagës, të cilët ditë më parë u miratuan nga deputetët e shumicës parlamentare, kryetari Ahmeti është marrë vesh me kryeministrin Gruevski që në afat prej 100 ditësh të Qeverisë së re, të zgjidhet edhe statusi i ushtarëve të UÇK-së, gjegjësisht familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, si pjesë e marrëveshjes së arritur për koalicion të përbashkët”, kanë thënë në BDI-në e Ahmetit. Sipas këtyre burimeve, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti këtë çështje e ka shtruar kur edhe vazhdonin bisedimet për formimin e Qeverisë së re.

“Me që jemi në prag të festimit të 10 – vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, lideri i BDI-së Ahmeti vlerëson se është koha që edhe statusi i UÇK-së të zgjidhet në mënyrë institucionale, pasi pikërisht këta luftëtarë të UÇK-së sollën deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga partia e Ahmetit.

Mbyllja e rasteve të Hagës, votimi i ndryshimit të ligjeve për përdorimin e gjuhëve dhe përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike, ishin tri kërkesat e BDI-së si parakusht për mbështetje të koalicionit me VMRO-në, ndërkohë që statusi i UÇK-së, siç informojnë në BDI, me kërkesë të Gruevskit, është lënë për pak më vonë.