Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 11:26

Shkup – Me 80 vota pro dhe asnjë kundër, Boris Kondarko, është zgjedhur të martën kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Kondarko është propozim i partisë më të madhe opozitare Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

Për të siguruar dy të tretat e votave, shumica parlamentare kishte urdhëruar që të gjithë deputetët të jenë prezent në seancën plenare, ku ndër të tjerat u votuan edhe ndryshimet kushtetuese për të cilët po ashtu nevojitet dy e tretat e votave.

Ndërsa, për disa ligje që nevojitet edhe dy të tretat e votave të komunitetit jo shumicë, këtu ishin deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të cilët morën pjesë në përbërje të plotë duke përfshirë edhe liderin Ali Ahmeti, ndërsa ka munguar vetëm deputetja Teuta Arifi. Parlamenti pas miratimit të Kodit Zgjedhor, zgjedhjes së kreut të KSHZ, të enjten do të shpërbëhet, ndërsa të premten kryeparlamentari Trajko Veljanovski do të nënshkruajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare që sipas gjitha gjasave do të jetë data e 5 qershorit.