Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 15:05

Shkup – Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, nuk e ka përjashtuar mundësinë për ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë, por nuk ka precizuar se në cilat pjesë mund të ketë ndryshime eventuale.

Ai ka vlerësuar se dokumenti i vitit 2001 e ka kthyer paqen dhe në masë të madhe ka arritur lojalitetin ndaj institucioneve. Sipas tij me miratimin e tre ligjeve në Parlament nuk mund të flitet për ndonjë pazar politik dhe dalje nga kornizat e marrëveshjes me partnerin maqedonas VMRO.

“Vallë duhet në disa pjesë të reformohet kushtetuta…? ai është proces normal politiko-juridik që ndodhë në gjitha shtetet. Atëherë ndoshta do jetë e nevojshme të reformohen disa pjesë të saj, por tani hëpërhë nuk mund të improvizojë apo prejudikojë”, ka thënë Xhafer, në intervistën dhënë për Radio Evropa e Lirë (REL),

“Kemi dy ligje dhe një interpretim autentik të ligjit për amnisti I cili u miratua në vitin 2002 e që nuk është njëjtë. Atë që disa media dhe analist e komentojnë, mendoj se nuk është ashtu, pasi që Gjykata kushtetuese ka analizuar disa nene të ligjit për simbolet e bashkësive etnike dhe tregoi nevojën e plotësimit që mos ketë vakum dhe këtu mendoj se gjithçka është procedurale në suaza të Marrëveshjes së Ohrit. Sa i takon ligjit të gjuhës ka precizim të disa punëve dhe nuk di se pse i interpretime të tilla se diçka është përtej ‘kornizës’ së marrëveshjes”, ka thënë ai. Sipas tij K\ka edhe të tillë që thonë se MO-ja ka dështuar, por me këtë gabohet.

“Pra bëhet një gabim logjik kur thuhet se Marrëveshja e Ohrit është e vdekur, nuk funksionon dhe se ajo duhej të implementohet deri në fund të 2004 apo 2007-08. Cila është logjika se mundet një pjesë e kushtetutës ku ka amendamente të rëndësishme t’i komentojë dikush se janë të vdekura”, ka thënë ai. Në pyetjen nëse MO-ja e ka arritur të kthejë bashkëjetesën, Xhaferi me konstatim se ajo ka arritur në shkallë të madhe lojalitetin ndaj institucioneve. “Ne duhet të testojmë se në çfarë mase shqiptarët, turqit dhe të tjerët, para së gjithash flas për shqiptarët kanë arritur besimin në institucione, Parlament, qeveri, pushtet gjyqësor, Mbrojtje…Atëherë pse shqiptarët nuk kanë besim të mjaftueshëm në pushtetin gjyqësor, pse nuk kanë besim në organet e sigurimit…”, ka pyetur zv/kryeministri Xhaferi. Sa i takon përfaqësimit të drejtë për kinse mbipunësime, Xhaferi nuk pajtohet me një gjë të tillë.

“Nëse administrata jonë ka 110 mijë punësime, po improvizoj si shembull, pra nuk duhet të gjendet faji te ata që e zbatojnë përfaqësimin pasi që ajo është detyrim kushtetues. Të mos bëjmë gara nëse ka 23 për qind shqiptarë në administratë dhe tani të punësojmë ende nga bashkësitë e tjera etnike dhe me këtë automatikisht e humbim atë përqindje”, ka shtuar ai.