Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 19:31

Shkup – “Marrëveshja e Ohrit e arriti qëllimin, e ktheu paqen, hapi mundësi që të gjithë të marrin pjesë në krijimin e jetës politike dhe shoqërore, ndërsa në Kushtetutë ka amendamente me të cilat nuk lejohet të diskriminohen bashkësitë etnike”. Ka qenë ky prononcimi i Zv/kryeministrit i obliguar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, të enjten.

Ai pas nënshkrimit të memorandumit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Maqedoni, Kristofer Ivon, për mbështetjen për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, theksoi se 10 vjet pas nënshkrimit të saj, gjendja është shumë e përmirësuar dhe ka parakushte për, siç tha, të ecet me dinamikë më të mirë përpara.

“Jam i kënaqur nga ajo se si hapeshin perspektivat nga i gjithë procesi politik i cili është i ndërlikuar, nuk është i thjeshtë dhe nuk mund të matet lehtë nëse ishte i zhvilluar në mënyrë optimale ose me sukses deri më tani”, ka shtuar Xhaferi.

Lidhur me Konferencën e cila me rastin e 10-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit nesër dhe pasnesër do të mbahet në Ohër, Xhaferi ka thënë se janë ftuar përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, të cilët sipas tij, do t’i prezantojnë pjesëmarrësit në krijimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes në vitin 2001.

“Nuk dëshiroj të predikoj nëse do të vijnë ose jo”, ka thënë zëvendëskryeministri i obliguar për zbatimin e MO-së. Sipas tij, dokumenti parasheh ndihmë britanike për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për zhvillimin e kapacitetit të përkthyesve të gjuhës shqipe, të nëpunësve shtetërorë, shërbimeve kuvendore, gjykatave dhe vetëqeverisjes lokale, të punësuarve sipas programit për përfaqësim të drejtë. Projekti do të realizohet gjatë dy viteve të ardhshme, me ndihmë britanike me vlerë prej 30.000 funta. Xhaferi theksoi se reformat në administratën publike vazhdojnë të jenë prioritet i Qeverisë.

“Do të angazhohemi drejt krijimit të administratës publike profesionale dhe efikase, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve në të cilën do të përfshihen përfaqësues të bashkësive etnike në vend”, theksoi Xhaferi.

Sipas ambasadorit Ivon, me projektin do të përmirësohen kriteret të cilat janë të nevojshme për afrimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian. I pyetur për atë nëse ndihma financiare është e motivuar nga pikëpamja se MO është një ndër marrëveshjet e rralla e cila solli paqe për një konflikt dhe mundësi për vazhdimin e jetesës në një shtet e ngjashme me marrëveshjen e Të premtes së madhe për Irlandën Veriore, ai tha se ekzistojnë disa karakteristika të përbashkëta për të gjitha marrëveshjet paqësore, por se është e vështirë të realizohet marrëveshja.

“Marrëveshjet kërkojnë mirëkuptimin e të gjitha palëve fillimisht nga përfaqësuesit politik, gjegjësisht qeveria, por edhe nga shoqëria. Gjithmonë do të ketë mjaft kritika të ashpra dhe atëherë është e nevojshme guxim politik për t’u qëndruar në rrugë për zbatimin e marrëveshjes”, tha ambasadori Kristofer Ivon. (LajmeShqip.com)