Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 07:34

Shkup – Diplomati amerikan, Pol Volers, zyrtarisht është shpallur ambasador i SHBA-ve në Maqedoni, pasi që mori besimin e Senatit amerikan.

Nominimi i tij është miratuar në seancën plenare të Senatit dhe se me këtë ai fillon zyrtarisht detyrën e kryediplomatit amerikan në Shkup.

Volers ka një përvojë diplomatike në Maqedoni, pasi që tre vite më parë ai ka ushtruar detyrën e zëvendës ambasadorit gjatë mandatit të ambasadores amerikane Xhilian Millovanoviç.

Ai është vlerësuar si njohës i zhvillimeve në Maqedoni, ndërsa para senatorëve amerikan ka referuar për prioritetet e misionit të tij dhe për çështjet e hapura që mbizotërojnë në Maqedoni, duke nënvizuar kontestin e emrit, sundimi i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve.

Volers zëvendëson në këtë detyrë ambasadorin e deritanishëm Filip Riker, i cili përfundoi mandatin muajin e kaluar dhe pritet të ushtrojë detyrën e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan për Evropë dhe Evroazi. Volers rolin më të madh në Maqedoni e ka pasur gjatë kohës së zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2008 kur nga liderët politik ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në atmosferë demokratike dhe të drejtë. Megjithatë, ai u bë i njohur në opinion si diplomati i cili në emër të SHBA-ve e nënshkroi marrëveshjen për ndërtimin e Ambasadës së Amerikës në lokacion të ri, gjegjësisht në Kalanë e Shkupit. (LajmeShqip.com)